Grabitje e armatosur në një lokal në Prishtinë
Një grabitje e armatosur ka ndodhur në një biznes ku kryhen pagesat në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka thënë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:00 dhe se me të marrë informatën policia ka dalë në vendngjarje.
“Sot rreth orës 17:00 është raportuar për një grabitje të ndodhur në një lokal në Prishtinë. Pas marrjes së informacionit policia ka dalë në vendngjarje dhe bazuar në informacionet e para, dyshohet se nën kërcënim të armës është grabitur një shumë parash. Policia në koordinim me Prokurorinë po ndërmerr veprimeve e nevojshme policore, me qëllim zbardhjen e rrethanave të rastit”, thuhet në përgjigjen e policisë.
