Dënime në vlerë prej 171,375 euro shkaku i tifozëve, Kuqezinjtë më të dënuarit në Euro 2024
Komisioni i Etikës dhe Disiplinës në UEFA gjobiti Federatën Shqiptare të Futbollit me 86,500 euro për incidentet e ndodhura në ndeshjen e raundit të tretë në finalet e Kampionatit Evropian “Gjermani 2024” kundër Spanjës, që u luajt mbrëmjen e së hënës në stadiumin e Dyseldorfit.
Kjo ishte hera e tretë që FSHF mori dënim për incidentet e shkaktuara nga tifozët në ndeshjet që Shqipëria i zhvilloi në Euro 2024, transmeton Telegrafi.
Fillimisht FSHF ishte dënuar për ndeshje e parë ndaj Italisë me 37375 euro. Arsyeja e dënimit ishte për ndezjen e fishekzjarreve, hedhjen e sendeve, pushtimin e fushës dhe transmetimin e mesazheve provokuese dhe të papërshtatshme për një event sportiv.
Pasi që tifozë shqiptarë ishin përsëritës të këtyre veprave, dënimi u rrit dukshëm ndaj Spanjës, ku fatura shkoi në 86500 euro dënim. Arsyet ishin të njëjta sikurse ndaj Italisë dhe Kroacisë.
FSHF në total në EURO 2024 u dënua me 171,375 euro, duke u bërë kombëtarja më e dënuar në Kampionatin Evropian që po vazhdon në Gjermani. Kjo sa i përket fazës së grupeve.
