Sot nis Euro 2024, festivali i futbollit në Gjermani garanton spektakël
Sot (e premte) do të nisë Kampionati Evropian 2024, ku nikoqirët e Gjermanisë do të luajnë ndeshjen hapëse ndaj Skocisë, e vlefshme për Grupin A.
Kampionati i 17-të Evropian i futbollit, i cili do të zgjasë deri më 14 korrik, do të nisë sonte me ceremoninë e hapjes dhe ndeshjen mes Gjermanisë dhe Skocisë në stadiumin Allianz Arena të Mynihut nga ora 21:00.
Në turne do të marrin pjesë 24 skuadra dhe Gjeorgjia është e vetmja kombëtare që do të debutojë për herë të parë në një Kampionat Evropian mes përzgjedhjeve më të mira evropiane.
Kampionati Evropian i futbollit do të mbahet në dhjetë qytete dhe dhjetë stadiume në Gjermani. Ndeshja e parë mes Gjermanisë dhe Skocisë do të luhet më 14 qershor në Mynih, ndërsa finalja do të luhet më 14 korrik në stadiumin Olimpik të Berlinit.
Gjithsej 51 ndeshje do të luhen në dhjetë lokacione, nëntë prej të cilave ishin tashmë në funksion në Kupën e Botës 2006. Në total priten 2.7 milionë shikues në ndeshje.
Pritet gjithashtu që zonat e tifozëve të tërheqin rreth 12 milionë vizitorë dhe fondi i çmimeve për Kampionatin Evropian të Futbollit 2024 në Gjermani mbeti i njëjtë me atë të fundit – 331 milionë euro.
Kombëtarja Shqiptare do ta nis kampanjën nesër (e shtunë) me ndeshjen ndaj Italisë, e cila pritet të zhvillohet në Signal Iduna Park të Dortmundit me fillim nga ora 21:00.
