Radojçiq dhe njerëzit e tij, të paprekshëm në Serbi: Aksiidenti me faТalitet i тerroristit Milenkoviq kalon në heshtje
Aksident i rëndë trafiku i ndodhur më 21 mars 2025 në Grasevicë të Serbisë, që rezultoi me vdekjen e një gruaje dhe plagosjen e rëndë të bashkëshortit të saj, ka zbuluar një tjetër rast të dyshuar të paprekshmërisë së individëve të afërt me pushtetin në Serbi.
I dyshuari për këtë ngjarje është Milosh Milenkoviq, 29 vjeç, i njohur si pjesë e rrethit të ngushtë të sigurisë informale të Milan Radoiçiqit – personi i akuzuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës për terrorizmin në Banjskë.
Media serbe “Radar” shkruan se edhe pse Milenkoviq u identifikua menjëherë në vendin e ngjarjes si drejtuesi i automjetit që shkaktoi aksidentin, Ministria e Brendshme e Serbisë nuk ka bërë ende asnjë njoftim publik për ngjarjen. Nga hetimi i Prokurorisë Themelore në Brus, mësohet se Milenkoviq ishte i pranishëm në vendngjarje dhe u testua për alkool (rezultati doli negativ), ndërsa u urdhërua marrja e gjakut për analiza shtesë. Prokuroria konfirmon se më 25 prill ai ka pranuar krimin në praninë e avokatit të tij.
Në aksident humbi jetën nëna e njërit prej zyrtarëve të lartë të policisë së Beogradit, ndërsa babai i tij është në gjendje kritike. Përkundër ashpërsisë së rastit dhe përfshirjes së një personi me lidhje të ngushta me figura të krimit si Radojçiq, nuk është lëshuar asnjë urdhër ndalimi për Milenkoviqin, i cili për më shumë se një muaj ka qenë në arrati.
“Radar” raportoi gjithashtu për rrethana të dyshimta të ngjarjes. Para përplasjes fatale me një furgon që goditi makinën Lada të viktimave, një BMW X5 me targa të huaja kaloi në mënyrë të pasigurt dhe besohet të ketë qenë i përfshirë në incident.
Sipas burimeve jozyrtare, në vendngjarje kishin mbërritur drejtues të policisë së Bruskës, ndërsa një nga personat që ndodheshin në një xhip iu afrua atyre dhe u prezantua si ish-koleg. Pavarësisht këtij kontakti, asnjë nga personat nuk është identifikuar, dhe nuk ka informacion nëse automjetet, përfshirë BMW X5 dhe një Skoda Superb, janë kontrolluar nga autoritetet. Dyshohet se personat që ndodheshin në këto automjete kanë ndërruar fjalë me njëri-tjetrin menjëherë pas aksidentit, ndërkohë që kontrolli i tyre do të kishte qenë vendimtar për të kuptuar nëse ndonjëri mbante armë apo posedonte leje për to.
Automjeti BMW X5 është parë të kalojë rregullisht në pikën e pagesës së Parkut Kombëtar të Kopaonikut, vend ku Radojçiqi qëndron shpesh dhe është bashkëpronar i disa ndërtesave me Zvonko Veselinoviqin. Pikërisht në ditën e aksidentit, xhipi ishte parë duke ardhur nga drejtimi i Kopaonikut, sipas të dhënave publike të aplikacionit për kalimin e automjeteve.
Një burim policor, në kushte anonimiteti, ka deklaruar se policët vendorë “ngrinë” kur kuptuan se kishin të bënin me njerëzit e sigurisë së Radojçiqit.
Millosh Milenkoviq, figuron në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Kosovës për sulmin terrorist të Banjskës, në vendin e 35 nga 45 të akuzuar. Radojçiq është i akuzuari kryesor dhe organizator i grupit, ndërsa Milenkoviq është i dyshuar për pjesëmarrje aktive në grupin e armatosur që kreu sulmin, ku mbeti i vrarë polici i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku.
Aksidenti që përfundoi me humbje jete është një tjetër shembull i moszbatimit të ligjit ndaj individëve të lidhur me pushtetin dhe krimin e organizuar në Serbi.


